Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka dhënë detaje mbi mbledhjen e përbshkët që do të mbahet ditën e sotme mes qeverisë shqiptare dhe asaj malazeze. Ai tha se çdo gjë është gati për mbajtjen e mbledhjes të cilën e konsideroi me një rëndësi rajonale ku do të nënshkruhen 10 marrëveshje.
“Gjithçka është gati për G2G, pa dyshim ngjarje me rëndësi rajonale. Mirëpresim delegacionin e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga kryeministri Edi Rama, i përbërë nga të gjithë ministrat dhe bashkëpunëtorët e tyre. Do nënshkruajmë 10 marrëveshje. Janë akredituar mbi 80 përfaqësues të mediave. Do të bëjmë çmos që të jemi më shumë se mikpritës të mirë dhe të dërgojmë një pamje të Malit të Zi ndryshe dhe modern me mbledhjën e përbashkët të dy qeverive në godinën e sapohapur të CANU-s. Po zhvillojmë një politikë të fqinjësisë së mirë dhe po dërgojmë mesazh paqeje dhe bashkëpunimi për të gjithë Ballkanin Perëndimor”,-shkruan Abazoviç në postimin e tij.
10 që do të nënshkruhen
Deklaratë e Përbashkët midis Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrit të Malit të Zi Dritan Abazovic, në kuadër të mbledhjes së dytë të përbashkët midis qeverive Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi
1.Marrëveshje bilaterale midis Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi mbi ndërtimin e urës në lumin e Bunës.
2.Marrëveshje midis Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi për hapjen e pikës së përbashkët kufitare Shën Nikollë – Pulaj, në territorin Republikës së Shqipërisë
3.Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e Energjisë midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Investimeve Kapitale të Malit të Zi.
4.Marrëveshje bashkëpunimi në fushat e mirëmbajtjes dhe menaxhimit të përbashkët të peshkimit në liqenin e Shkodrës dhe lumin e Bunës, midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit të Malit të Zi.
5.Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes së shëndetit të bimëve, midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit të Malit të Zi.
6.Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes sociale midis Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi.
7.Memorandum bashkëpunimi midis Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Rinisë dhe Fëmijëve të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Sportit dhe të Rinisë së Malit të Zi.
8.Programi i bashkëpunimit kulturor midis Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Medias së Malit të Zi për periudhën 2023-2025.
9.Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi midis Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi.
10.Memorandum bashkëpunimi midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetit të Malit të Zi.