Përgjatë periudhës 6-mujore, bizneset në vendin tonë kanë patur një ecuri pozitive të aktivitetit të tyre ekonomik dhe administrativ sipas të dhënave zyrtare.
Referuar të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2026 janë regjistruar 11,567 subjekte të reja ose 806 më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje prej 7.5%.
Sipas QKB-së, struktura e regjistrimeve vijon të dominohet nga personat fizikë me 8,757 regjistrime ose 75.7% të totalit, ndjekur nga Shoqëritë me Përgjegjësi të Kufizuar (SHPK) me 2,775 regjistrime.
Ndërsa sipas pronësisë, subjektet me kapital 100% shqiptar mbeten mbizotërues me 10,179 regjistrime, regjistrimet e bizneseve me kapital 100% të huaj u rritën ndjeshëm me 35.7%, duke arritur në 1,240 subjekte, një tregues i rritjes së interesit të investitorëve të huaj për ekonominë shqiptare.
Të ndarë sipas zonave gjeografike, Qarku Tiranë vijon të kryesojë me 6,039 regjistrime për vitin 2026 ose 52.2% të totalit, i ndjekur nga Vlora me 1,347 dhe Durrësi me 1,310 regjistrime.
Gjithashtu QKB në raportin më të fundit nënvizon se rritje të konsiderueshme u evidentuan edhe në qarqet në veri të vendit, Lezhë, Shkodër, Dibër dhe Kukës.
Sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë mbetet më i preferuari për regjistrimin e bizneseve të reja, me 2,771 subjekte, i ndjekur nga akomodimi dhe shërbimi ushqimor, aktivitetet profesionale, transporti dhe informacioni e komunikacioni.
Rritje të forta në 6-mujorin e 2026 janë shënuar edhe në sektorin e pasurive të paluajtshme përkatësisht me +35.8% dhe transporti e magazinimi me +26.3%.
Të dhënat tregojnë rritje të regjistrimeve të reja të bizneseve, zgjerim të pjesëmarrjes së kapitalit të huaj, si edhe rritje të kërkesave për leje, licenca, si edhe aplikim në regjistrin e pronarëve përfitues.
QKB, SUBJEKTET JANAR-QERSHOR 2026
11,567 subjekte të reja ose 7.5% krahasuar me 2025,
Personat fizikë me 8,757 regjistrime,
Shoqëritë me Përgjegjësi të Kufizuar (SHPK) me 2,775 regjistrime,
Me kapital 100% shqiptar me 10,179 regjistrime,
Biznese me kapital 100% të huaj 1,240 subjekte.
QKB, SUBJEKTET SIPAS ZONAVE GJEOGRAFIKE
Qarku Tiranë me 6,039 regjistrime,
Qarku Vlorë me 1,347 regjistrime,
Qarku Durrës me 1,310 regjistrime.
