Me 117 vota pro dhe 3 abstenim, Kuvendi i Shqipërisë i ka hequr imunitetin e deputetit socialist Arben Ahmetaj dhe tashmë është koha që SPAK-u ta gjejë dhe ta arrestojë. Duhet theksuar se kryeministri Edi Rama u paraqit në sallën e Kuvendit, por iku ku fjalën e mori Sali Berisha dhe u rikthye për të votuar pro arrestimit të ish-numrit 2 të qeverisë së tij. Gjatë seancës së posaçme ku u lexuan dhe raportet e Komisionit të Mandateve, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi ftoi SPAK që t’i shkonte deri në fund hetimit për çështjen e inceneratorëve, teksa ftoi Ahmetajn të bashkëpunojë me drejtësinë.
“Ish-zëvendëskryeministri i vendit, krahu i djathtë i Edi Ramës, njeriu i tij më i besuar, rrezikon jo më pak se 15 vite burg, jo vetëm për korrupsion, jo vetëm për shpërdorim detyre, por dhe për pastrim parash përmes transaksioneve kriminale me dy bosët e inceneratorëve. Pjesë e këtij hetimi do të duhet të jetë edhe koka e kësaj afere, i cili është Edi Rama. Pa ndihmën e kryeministrit askush nuk mund të miratonte 17 vendime brenda ditës. E ftoj Ahmetajn të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë”, tha Bardhi.
Nga ana e mazhorancës, foli deputeti Arben Pëllumbi, i cili i kërkoi opozitës të ndalë akuzat dhe të lejojë drejtësinë të bëjë punën e saj, teksa shtoi se emri i kryeministrit, ndryshe nga sa pretendon opozita, nuk rezulton në asnjë fjalë të kërkesës së SPAK.
“Edhe sot që duhet të ndiqnim procedurë, Bardhi mbajti një qëndrim politik, larg raportit që lexoi. Ne nuk jemi gjykatë dhe prokurorë, nuk mund të japim mendime personale. Kemi një raport të SPAK që duhet të ndeshet në Gjykatë me kolegun tonë dhe është ajo që jep vendimin. Deri në atë kohë të gjithë duhet të njohim prezumimin e pafajësisë. Bardhi përmendi shumë emra, shumë kolegë dhe përmendi kryeministrin, emri i të cilit nuk rezulton askund në raportin e SPAK”, tha Pëllumbi.
Po sot, para se të niste seanca e posaçme në Kuvend, vetë personazhi më i komentuar, Arben Ahmetaj përmes një shkrimi të gjatë, tha se letrat e vërteta do dalin. Po ashtu, tashmë ish-deputeti i PS-së, thotë se ka marrë kërcënime.
“Kam marrë kërcënime (i kam me screenshot e me zë ndoshta), madje së fundi dhe një mesazh triumfi si mirëseardhje. Nëse do ta meritoj, sigurisht që do ndodhi, po jo përpara se e vërteta të marri rrugë e dritë. Shpresoj të dalin sa më shumë shkresat e letrat e mia, si ajo ato që BIRN nxorri dje, që qytetarët të kuptojnë (aq sa mundet) që puna “e fytyrës së ngrysur” ka qenë në interes të publikut”,-shkruan Ahmetaj. Po ashtu Arben Ahmetaj thekson se s’ka ndërmend që të kthehet në Shqipëri pa dalë e vërteta. Ai thotë se edhe Luigjit të 16 ju dha katër ditë kohë përpara se t’i pritej koka, ndërsa atij e avokatëve as 24 orë. Ndër rreshta ai ka përmendur edhe një thënie të vjetër nga Franca “E shoh që dy zgjidhje të mundshme ka në tavolinë, ose do të bjerë koka e mbretit, ose ju do të duhet të pranoni dështimin e revolucionit”.