Ndonëse ndryshimet në Kodin Penal u miratuan me ndihmën e deputetëve të opozitës, ka nga ata që vijojnë të mbajnë qëndrime kundër këtij miratimi. Deputeti Andi Përmeti u shpreh se ndryshimet në Kodin Penal janë në shkelje të Kushtetutës dhe të të drejtave të njeriut. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Përmeti theksoi se reagimi i ashpër i disa deputetëve opozitarë dhe shoqërive civile solli reflektimin e qeverisë për uljen e dënimit maksimal nga 10 në 5 vite burg dhe nga 15 në 8 vite heqje lirie.
Por deputeti pati një reagim shumë të ashpër ndaj kolegëve të tij, duke u shprehur i revoltuar se ata u rreshtuan krah mazhorancës për ndryshimet në Kodin Penal. Përmeti bëri sërish thirrje qytetarëve që të ngrenë zërin për të drejtat e tyre, me shpresën se do të dëgjohen. “Lajmi i keq është që Rama i ka votat për të kryer çdo çmenduri që i vjen ndërmend. 88 deputetë votuan pro. 14 vota opozite i shkuan Ramës për një çmenduri në shkelje kushtetuese duke i treguar shqiptarëve që nesër ata janë të gatshëm të votojnë jo 5 dhe 8 vite burg, jo vetëm 10 e 15 vite burg por edhe internim për agjitacion e propagande nëqoftëse vota e tyre do shpërblehej nga një shikim falënderues i Ramës dhe jo vetëm. Përfundimi: Shprese ka. Të bashkohemi, të ngremë zërin për çdo shkelje dhe çdo të drejtë që na takon derisa të largojmë çdokënd që pa pikën e turpit ngre kartonin e paguar nga djersa e shqiptarëve për ti shkelur, hequr dhe dhunuar shqiptarëve të drejtat që ja jep Kushtetuta”, tha deputeti Andi Përmeti.
