Nga Armando META
Regjistrimi i partive politike në KQZ për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, është vetëm “maja e ajsbergut”, e sfidave që i presin kandidatët për kryebashkiakë dhe këshilltarë bashkiakë në garën elektorale.
Sfidë më vete është edhe plotësimi i formularëve përkatës për kandidatët për kryebashkiakë dhe këshilltarë mbi mënyrën e plotësimit të dokumentit.
Regjistrimi i kandidatit për kryetar bashkie
Për kandidatët për kryetarë bashkishë, dokumenti, në bazë të përcaktimeve ligjore, që bëhen publike nga rtsh.al, plotësohet nga kryetari i partisë politike/përfaqësues i koalicionit ose personi i autorizuar prej tyre.
Për këtë qëllim kërkuesi plotëson të dhënat e partisë politike, Qarkun dhe Bashkinë ku kandidon kandidati për Kryetar Bashkie, si dhe kujt i drejtohet kërkesa e kandidimit KQZ/KZAZ-së dhe, sipas rastit, plotëson nr. e KZAZ-së.
Kërkuesi do të duhet të plotësojë të dhënat identifikuese të kandidatit sipas fushave përkatëse. Dokumenti këshillohet të plotësohet në formatin elektronik i cili gjendet në faqen e internetit të KQZ-së, dhe më pas duhet të printohet dhe të nënshkruhet.
Nëse formulari do të plotësohet në versionin e paraprintuar, atëhere, të gjitha të dhënat që përmban modeli duhet të plotësohen pa korrigjime dhe me shkronja kapitale. Kryetari i partisë/koalicionit ose personi i autorizuar prej tij duhet të nënshkruajë në fund të këtij dokumenti.
Dokumentit duhet t’i bashkëlidhet:
a) Deklarata e nënshkruar nga kandidati që gëzon të drejtën dhe ka dëshirë të kandidojë, sipas rastit deklarimin e dorëheqjes nga funksionet e përcaktuara në nenin 63 të Kodit Zgjedhor;
b) Formulari i Vetëdeklarimit pasi të nënshkruhet nga kandidati duhet të depozitohet pranë KQZ/KZAZ;
c) Vërtetim për zotërimin e mandatit, listën e zgjedhësve që mbështesin partinë/koalicionin;
ç) Autorizimi i Kryetarit të Partisë për nënshkrimin e dokumentit të kandidatit për Kryetar Bashkie (nëse dokumenti nuk është nënshkruar nga kryetari i partisë);
d) Deklarata e kandidatit për hapjen e llogarisë të posaçme bankare për dhurimin e fondeve jopublike.
Regjistrimi për anëtar të këshillit bashkiak
Beteja për kryebashkiak është vetëm njëra anë e medaljes në zgjedhjet vendore. Edhe anëtarët për këshillat bashkiakë do të duhet të plotësojnë një seri dokumentacioni në betejën e parlamenteve vendore.
Dokumenti për këshilltar bashkiak plotësohet dhe nënshkruhet nga kryetari i partisë politike/përfaqësues i koalicionit ose personi i autorizuar prej tyre.
Kërkuesi plotëson të gjitha të dhënat e partisë politike, Qarkun dhe Bashkinë ku kandidojnë kandidatët për Anëtar të Këshillit Bashkiak.
Kërkuesi zgjedh ku drejtohet kërkesa në KQZ/KZAZ dhe sipas rastit plotëson nr e KZAZ-së. Kërkuesi plotëson tabelën me të gjitha të dhënat identifikuese të kandidatit.
Ky dokument këshillohet të plotësohet në formatin elektronik i cili gjendet në faqen e internetit të KQZ-së dhe më pas të printohet e të nënshkruhet.
Nëse do të plotësohet në versionin e paraprintuar, atëhere, të gjitha të dhënat që përmban modeli duhet të plotësohen pa korrigjime dhe me shkronja kapitale.
Kryetari i partisë politike/përfaqësues i koalicionit ose personi i autorizuar prej tyre duhet të nënshkruajnë në fund të këtij dokumenti.
Kësaj liste duhet t’i bashkëlidhet:
– Deklarata e nënshkruar nga çdo kandidat që gëzon të drejtën dhe ka dëshirë të kandidojë, sipas rastit deklarimin e dorëheqjes nga funksionet e përcaktuara në nenin 63 të Kodit Zgjedhor;
– Formulari i Vetëdeklarimit pasi të nënshkruhet në çdo faqe nga kandidati duhet të depozitohet pranë KQZ/KZAZ;
– Vërtetim për zotërimin e mandatit, listën e zgjedhësve që mbështesin partinë/koalicionin;
Autorizimi i Kryetarit të Partisë për nënshkrimin e listës shumemërore të kandidatëve për anëtarë të këshillit bashkiak (nëse lista shumemërore nuk është).
– Deklarata e kandidatit për hapjen e llogarisë të posaçme bankare për dhurimin e fondeve jopublike.
Lista e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive
Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, kandidati për kryetar bashkie dhe lista e kandidatëve për këshillat vendorë regjistrohen në KZAZ-në që mbulon njësinë e qeverisjes vendore. KZAZ-ja dorëzon një kopje të listës në KQZ.
Partia politike, pjesëtare e një koalicioni, depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 40 ditë para datës së zgjedhjeve, pra me datë 26 mars 2023.
Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore lista e kandidatëve regjistrohet në KZAZ. KZAZ-ja dorëzon një kopje të listës në KQZ. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore një në çdo tre emra në listë duhet t’i përkasë secilës gjini.
Dokumentet e kandidimit
Dokumentet e kandidimit duhet të përmbajnë këto të dhëna:
a) listën e plotë të kandidatëve me renditjen përkatëse, të nënshkruar nga kryetari i partisë ose propozimin nga komiteti nismëtar i një grupi zgjedhësish;
b) emrin, atësinë, mbiemrin datëlindjen, gjininë, adresën e kandidatit dhe një kopje të dokumentit të identifikimit;
c) deklarimin e kandidatit që ai gëzon të drejtën dhe vullnetin për të kandiduar;
ç) deklarimin e kandidatit të propozuar nga një grup zgjedhësish se ai/ajo nuk do të mbështetet apo nuk do të mbështesë asnjë subjekt zgjedhor në zgjedhje;
d) një listë të nënshkruar nga zgjedhësit e zonës përkatëse, që mbështesin kandidatin ose partinë.
Formularët që plotësohen për kryetar bashkie dhe anëtar këshilli bashkiak
