Mbrëmjen e sotme, në programin “Dua të të bëj të lumtur” u trajtua historia e një të riu, i cili prej vitesh kishte vuajtur nga depresioni. Krizat e para, Jetmiri i shfaqi që në periudhën e gjimnazit. Ai kishte filluar të mbyllej në vetvete, të abuzonte me alkoolin dhe të shfaqte shenja dhune.
Të shqetësuar nga sjellja e Jetmirit, prindërit kishin kërkuar ndihmën e mjekëve, të cilët pas disa ekzaminimeve kishin kuptuar që i riu vuante nga depresioni. Jetmiri në studio rrëfeu se shpeshherë e humbiste vetëkontrollin dhe nuk e kuptonte se çfarë bënte. Madje ai thyente çdo gjë që i dilte përpara dhe kishte arritur deri aty sa të ushtronte dhunë fizike mbi prindërit.
Djali tregoi se kur qetësohej dhe kuptonte se çfarë kishte bërë ndihej në faj dhe mbyllej akoma më shumë në vetvete. Pavarësisht gjithçkaje prindërit i kishin qëndruar pranë dhe ishin kujdesur për të duke i dhënë forcën që i nevojitej për të dalë nga ajo gjendje. Për këtë arsye në studion e programit në fjalë, Jetmiri ftoi prindërit e tij. Veçanërisht i kërkoi falje nënës për dhimbjen dhe vuajtjet e shkaktuara:
“Të kam lodhur shumë dhe të kam bërë të vuash. Të kërkoj falje për çdo gjë dhe të falenderoj sepse jam ky që jam sot falë teje!”.
Në fund si Jetmiri dhe nëna e tij dhanë një mesazh për të gjithë njerëzit që vuajnë nga depresioni, që nuk duhet të kenë frikë nga paragjykimet dhe se nuk duhet të kenë turp që t’i drejtohen psikologut.