Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në një lagje pranë shkollës “Bajram Curri” në Tiranë, ku një i mitur është plagosur rëndë me thikë nga një 15 vjeçar. Fëmija i plagosur gjendet aktualisht i shtruar në spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekeve.
Familjarët e tij dhe banorët e lagjes së tij deklarojnë se kjo nuk është hera e parë që 15-vjeçari, një i mitur me probleme të shëndetit mendor, plagos me thikë fëmijët. Ata thonë se adoleshenti në fjalë ka kryer akte të ngjashme dhune edhe ndaj të rriturve me sende të forta dhe thikë.
Banorët shprehen se e kanë denoncuar disa herë në polici, por i mituri është lënë i lirë për shkak të moshës minorene dhe të problemeve shëndetësore. Banorët bëjnë thirrje që institucionet shtetërore të reagojnë dhe 15-vjeçari të dërgohet në institucionet e rehabilitimit. Ata shprehen të frikësuar pasi 15-vjeçari është kthyer në një kërcenim serioz për fëmijët dhe të gjithë banorët e lagjes.
Familjaret e të miturit thonë se 15-vjeçari para dy vitesh ka qenë në shtëpinë e fëmijës në Sarandë, por e kanë rikthyer serish dhe se kërkojnë që të dërgohet në një qendër rehabilitimi pasi e kanë të pamundur ta mbajnë nën kontroll.
