Sot bëhen 16 vite nga tragjedia e Gërdecit, ku ende nuk ka një përgjegjës për atë çka ndodhi, në vendin ku po demontoheshin armët. Familjarët bënë homazhe me lule në duar tek memoriali me emrat e atyre që humbën jetën nga shpërthimit tragjik. Mes viktimave kishte edhe fëmijë, që punonin në Gërdec në demontimin. Për mediat foli Zamira Durda e cila ka humbur djalin në këtë tragjedi.
”A më mbështesni mua, a jam vetëm apo jeni me mua? Dua ta dëgjoj një zëri me ju! Ose ngrini dorën ose fliteni me zë të lartë! Të paktën të mos bëhet më kjo pyetje që a je vetëm. Kërkoj drejtësi për djalin tim por duke kërkuar për djalin tim kërkoj edhe për ju. Faleminderit të gjithëve. Shpresoj te SPAK. Por sa shikoj nga seancat, jemi fyer. Në një sallë me prokurorët gjyqtarja, familjarët, gazetarët, pyetjet që bëhen janë të një niveli qesharak që ofendojnë viktimat. Kam folur disa herë por më thonë mos fol. I bëri pyetje ish-drejtori juridik dhe tha në gjyq se Mediu ishte njishi.
Është njishi se ka vrarë 26 njerëz, qindra të plagosur. Kjo është për turp por edhe na fyejnë. Në emër të 26 personave do bërtas. Përballë jush do ta ngre zërin. Por ama drejtësia me sa shoh i bëhen pyetje qesharake. Ministri nuk pranon të përgjigjet pyetjeve të SPAK është e turpshme.
Ai s’ka ça thotë tjetër, do mbrohet. Por pyetjet që janë bërë janë qesharake. Ai po vjen çdo seancë dhe ka përballë punonjësit e vet që ka patur. Dhe është një presion. Por një drejtor juridik të thotë Mediu është njishi. Po zhgënjehem nga dita në ditë, edhe në dyert e SPAK. Të pranojnë ato pyetje, mos flitet për viktimat. Vazhdojnë me akt administrative, a firmose ti a more në telefon. I kanë lënë viktimat fëmijët pa rritur. Kam thënë që Gërdeci është krim shtetëror dhe duhet hetuar piramida shtetërore. Për sa kohë nuk ngrihet akuza e vrasjes për korrupsion nuk më intereson fare. Po nuk u ngrit akuza e vrasjes nuk ka drejtësi. Do ngrihemi vetë të bëjmë drejtësi”.