Ditën e sotme, Komisioni i Ekonomisë i ka kaluar Kuvendit të SHqipërisë dy kandidaturat për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Emrat e kandisaturave të propozuara nga komisioni janë Anastas Angjelin dhe Natasha Ahmetaj e cila ne rast se votohet, do të siguronte një mandat të dytë si anëtare.
Theksojmë se, Komisioni i Ekonomisë dëgjoi më herët 17 kandidaturat e vetë-ofruara dhe me mbështetjen e të paktën 28 deputetëve për secilën kandidaturë, Komisioni i kaloi seancës së ardhshme plenare emrat për anëtarë të këshillit mbikëqyrës të Anastas Angjelit dhe Natasha Ahmetajt.
Gjatë zhvillimit të seancës në komision, deputeti i partisë demokratike, Arbi Agalliu bëri një kërkesë ndaj deputetëve ku u tha atyre se anëtarët e këshillit mbikëqyrës duhet të kenë gjithë përfshirjen e mazhorancës dhe opozitës për aq kohë sa Banka e Shqipërisë është institucion i pavarur.
Kësaj kërkese të Agalliut i’u përgjigj deputetja socialiste, Blerina Gjylameti e cila tha se kandidaturat janë shqyrtuar së bashku dhe është rënë kjo dakortësi.
