Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm në procedurën e transferimit të një të dënuari.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 196 të vitit 2025,në ngarkim të të pandehurve: Zef Mali, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 4 dhe 25 të Kodit Penal. Kreshnik Domi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 4 dhe 25 të Kodit Penal; Jemine Çoku, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal””, njoftoi SPAK.
Sipas hetimeve, Zef Mali në bashkëpunim me Domin i kanë kërkuar dhe marrë Çokut 20 mijë euro. Në këtë kohë Mali mbante detyrën e oficerit të Shtabit për Menaxhimin e Forcave në Gardën e Republikës dhe Kreshnik Domi ishte një lidhje shoqërore e tij.
Ata i kanë premtuar dhe siguruar Çokut se do të ushtrojnë ndikim të paligjshëm tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë, për të ndjekur procedurën e transferimit në Shqipëri të vëllai të saj, shtetasit shqiptar Kujtim Çeliku, i dënuar me burgim në Republikën e Turqisë për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
“Konkretisht, nga muaji janar deri në tetor të vitit 2025, në të cilën ishte në zhvillim procedura e personit të dënuar, të pandehurit Zef Mali dhe Kreshnik Domi kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me të pandehurën Jemine Çoku dhe me familjarë të tjerë të saj, duke i siguruar se ata kishin mundësi të ndikonin tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë për realizimin e procedurës së transferimit të të dënuarit. Për këtë qëllim, e pandehura Jemine Çoku u ka dhënë të pandehurve shumën prej 20.000 eurosh, si përfitim të parregullt”, njoftoi SPAK.
Sipas prokurorisë gjatë hetimit është evidentuar gjithashtu fakti i fillimit të ndjekjes së procedurës ligjore të transferimit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për Çelikun, për të shlyer pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri.
