“Buxheti angazhon një fond afro 20 miliardë lekësh prej të cilave 13 miliardë janë lekë si transfertë nga të ardhurat buxhetore dhe 7 miliardë janë të ardhura nga donacionet e ndryshme”, tha sot në Kuvend, Kryeministri Edi Rama, duke folur për buxhetin që akordohet për programin e rindërtimit.
Kryeministri Rama deklaroi se “ka një program buxhetor të veçantë për rindërtimin”.
“Do ta bëjmë kështu, e kemi programin. Kjo që bëjmë me këtë buxhet është fillimi i këtij programi, sikur asnjë kokërr leku mos të vijë nga bota. Ne do ta përballojmë të gjithën sepse është detyra jonë dhe se jemi më të zgjuar, më të zot, më të aftë se sa ju dhe ata që ju kanë hapur rrugën juve për të ardhur këtu”, iu drejtua Rama, deputetëve të opozitës në sallë e Kuvendit.