Fondi total i vënë në dispozicion për mbështetjen e punësimit dhe përfshirjes sociale të shtresave në nevojë për periudhën 2026-2028 arrin në 210 milionë lekë.
Skema ka për qëllim mbështetjen e ndërmarrjeve sociale që krijojnë vende pune dhe ofrojnë shërbime për grupet më të pafavorizuara, përmes subvencionimit të pagës minimale dhe sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore.
Ky fond do të shpërndahet nëpërmjet skemës së ndihmës shtetërore “Fondi në mbështetje të ndërmarrjes sociale”, e propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe e autorizuar nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore. Vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare.
Sipas vendimit, ndihma për një ndërmarrje të vetme nuk mund të kalojë 14 milionë lekë për tre vjet.
Çdo përfitues duhet të nënshkruajë deklaratën për ndihmën, ndërsa Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale do të raportojë çdo vit mbi ndikimin ekonomik dhe social të skemës. Të dhënat për zbatimin e saj do të ruhen për 10 vjet.
Komisioni ka vlerësuar se skema është në përputhje me ligjin e ndihmës shtetërore, nuk cenon konkurrencën dhe nuk shtrembëron funksionimin normal të tregut.
