Seanca maratonë 24 orëshe në Parlamentin e Shqipërisë për çështjen McGonigal-Rama ka nisur. Kryetari i PD-së, Sali Berisha nisi fjalën me akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se ky i fundit ishte i përfshirë në çështjen McGonigal.
Po ashtu Berisha tha se lidhja mes Ramës dhe McGonigal ka shumë degëzime në Tiranë. Ndërsa kryeparlamentarja, Lindita Nikolla i ka ndërprerë fjalën me argumentin se po mbante fjalim dhe nuk po fliste për procedurë sipas rregullores.
“Një nga aferat më tronditëse të kohës, implikimit direkt të kreu tuaj në rekrutimin, korruptimin e kryeagjentit të FBI-së McGonigal dhe përdsorimin e tij si vrasës me pagesë. Veprimtaria Rama-Gonigal ka degëzime shumë të mëdha në Tiranë. Janë një seri çështjesh që duhet të marrin përgjigjie nga komisioni hetimor parlamentar. Kurrë Shqipëria nuk mund të kapërcejë këtë parim të tmerrshëm nga një njeri që nuk ka asnjë normë. Kemi të bëjmë me një nga aktet më të shëmtuara në historinë e marrëdhënies së dy vendeve. Me aktet më anti-kushtetuese në historinë e një vendi, kemi të bëjmë me një grup mafioz që përdori pushtetin e qeverisë për të gjobitur biznesmenë”,-tha Berisha.
Po ashtu kreu i PD-së, tha në Kuvend se po shkelet hapur Kushtetuta duke mos lejuar komisionin hetimor për skandalin Rama-McGonigal. “Po lexoj një nen të rregullores dhe po e shkelni me këmbë një nen të Kushtetutës të Shqipërisë, që detyron parlamentin të ngrejë komisionet hetimore pasi firmosin një e katërta e deputetëve”.
