Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, politikanja italiane Pina Picierno, ka uruar 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Përmes një postimi në platformën “X”, ajo ka thënë se pret që së shpejti Kosova të bëhet pjesë e familjes së madhe të Bashkimit Evropian.
“Kosova sot feston Ditën e saj të njëzetepestë të Çlirimit, e cila përkon me përvjetorin e përfundimit të konfliktit të armatosur pas tërheqjes së forcave serbe të Sllobodan Millosheviçit dhe ardhjes së afërsisht të KFOR-it, forcës paqeruajtëse #NATO. Shpresoj që së shpejti të mund ta mirëpres Kosovën në familjen e madhe të Bashkimit Evropian.”, shkruhet në postimin e Picierno.
Kosova shënon sot 25-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s më 12 qershor 1999 dhe të Çlirimit. NATO ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në ruajtjen e paqes por edhe për rindërtimin e Kosovës. Më 12 qershor të vitit 1999, pas largimit të forcave serbe, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas fushatës ajrore 78 ditëshe të aleancës veriatlantike NATO kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi. Në Kosovë vlerësohet se NATO-ja ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në ruajtjen e paqes por edhe në rindërtimin e Kosovës.