Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria po rrezikon të zbrazet akoma më shumë nga shqiptarët. Sipas një anketimi të kryer nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, 28% e shqiptarëve u përgjigjen se kanë zhvilluar një plan për largimin nga Shqipëria.
“Askush nuk po merr masa që shqiptarët të mos ikin. Po bëhen dekada që ne e dimë si ikin shqiptarët. E para ikin për mungesën e shtetit të së drejtës, këtu nuk ka barazi para ligjit. Shoku, miku i pushtetit është i pabarabartë krahasuar me ne të tjerët. Janë dhe arsyet kryesore që është arsimi dhe shëndetësia. Shëndetësia merr 2.9 të prodhimit të brendshëm bruto dhe po kaq merr arsimi. Kjo do të thotë që vëmendja është larg pritshmërisë që kanë shqiptarët për arsimin dhe shëndetësinë“-shprehet Pano Soko, ekspert për ekonominë.
Si e shpjegoni faktin që përqindja e shqiptarëve që duan të largohen, është dy herë më e lartë se shifra në Ballkan?
“Shifrat e fundit e 1/3 që kanë plan të largohen, është shumë shqetësuese. Besoj se vetmja formë sesi zgjidhet është ndryshimi politik, është në konceptin e mendësisë. Çiftet e reja të lidhin jetën dhe të bëjnë fëmijë këtu në Shqipëri. Sa kohë do të kemi të njëjtën sjellje politike, do të vazhdojmë të kemi të njëjtin trend largimesh”-shton eksperti.