Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, është politikani aktiv me më shumë mandate deputeti se kushdo tjetër në Shqipëri që prej gati 30 vitesh. Ai ka qenë 8 herë deputet i Partisë Socialiste dhe aktualisht garon në qarkun e Fierit për një tjetër legjislaturë.
Edhe ish-kryeministri Sali Berisha është zgjedhur 8 herë deputet në Kuvend. Edhe këtë 25 prill është kandidat në qarkun e Tiranës.
Ai ka më pak vite aktivitet si deputet krahasuar me Gramoz Ruçin. Pas zgjedhjeve të vitit 1992, lideri i demokratëve u bë President i Republikës.
Zgjedhjet e parakohshme të vitit 1997, e rikthyen deputet në Kuvend. Ndërsa në legjislaturën e fundit nuk e çoi mandatin deri në fund për shkak të djegies së tij në vitin 2019.
Ish-kryeministri Pandeli Majko, dhe deputetet Musa Ulqini, Tritan Shehu, Erion Braçe e Vangjel Dule kanë nga 7 mandate deputetësh në parlamentin shqiptar. Prej tyre vetëm Ulqini nuk është kandidat për këto zgjedhje.
Ndërsa Majko e Dule kandidojnë në Tiranë, Braçe në Fier e Shehu në Gjirokastër. Bashkim Fino do të ishte për herë të 7 në Parlament nëse jeta nuk do t’i pritej në mes këtë fushatë zgjedhore.
6 herë në Kuvend ishin edhe Anastas Angjeli, Genc Pollo dhe Vangjel Tavo. Por prej tyre vetëm Tavo kandidon për një mandat të shtatë për LSI-në në Gjirokastër.
Blendi Klosi, Dashamir Shehi, Edi Paloka, Fatmir Mediu, Fatmir Xhafaj dhe Nard Ndoka klasifikohen gjithashtu te lista e deputetëve veteranë.
Secili prej tyre ka nga pesë mandate deputeti. Ata garojnë për të gjashtin mandat; Klosi në Berat, Paloka në Durrës, Ndoka në Shkodër, ndërsa Shehi, Mediu e Xhafaj në Tiranë.