Mashtruesit prezantoheshin si kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu dhe pre e mashtrimit ka rënë biznesmeni Ylli Ujkaj, njëherazi edhe presidenti i ekipit të basketbollit ”Besëlidhja”. Mashtruesit kanë komunikuar me Ylli Ujkajn përmes aplikacionit ”Signal” dhe i janë prezantuar atij si Pjerin Ndreu dhe i kanë kërkuar 15 mijë euro.
Biznesmeni ka rënë pre e këtij mashtrimi dhe pa u menduar dy herë, më datë 14 korrik u ka dorëzuar atyre 15 mijë euro. Policia ka arrestuar dy persona, Shkëlqim Domi 35 vjeç, dhe Saimir Sallaku, 37 vjeç, të dy banues në Shijak. Në kërkim është shpallur edhe një tjetër, Shefik Kurti, 63 vjeç, banues në Itali.
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu thotë se personat e arrestuar janë të panjohur për të, por thekson se i denoncuan pasi kuptuan që ishte një mashtrim. Ai i bën thirrje personave të tjerë që mund të jenë mashtruar të denoncojnë në polici.
“Një mik, biznesmen nga Lezha, ka rënë pre e një mashtrimi, ku disa shtetas, të panjohur për mua, kanë përdorur emrin tim për t’i marrë para! Para ca ditësh ne e kapëm situatën, denoncuam dhe u bë e mundur kapja e autorëve nga ana e Policisë Lezhë. Nëse ka persona të tjerë që kanë rënë pre e këtij mashtrimi, ju lutem të denonconi në polici”, shkruan kryebashkiaku.