Rreth 30 kursantë të Akademisë së Sigurisë kanë shfaqur mbrëmjen e djeshme simptoma si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke, duke marrë ndihmë mjekësore në spital.
Sipas informacioneve paraprake, janë marrë kampione të ushqimeve për t’u analizuar, pasi nuk përjashtohet mundësia e një helmimi ushqimor.
Ngjarja vjen vetëm pak kohë pasi 56 studentë të Akademisë së Sigurisë në Sauk u helmuan nga ushqimi i konsumuar në ambientet e institucionit.
Pas gjurmimit dhe analizave të kryera, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit konfirmoi se helmimi i rreth 56 studentëve ishte shkaktuar nga bakteret Escherichia coli dhe Staphylococcus koagulaza pozitive.
Në një nga kampionet e makaronave të gatuara, të marra në kuzhinën e Akademisë, analizat e kryera në laboratorin e referencës së Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare zbuluan prani mbi normat e lejuara të këtyre baktereve.
Escherichia coli dhe Staphylococcus koagulaza pozitive janë baktere që prekin traktin tretës pas konsumimit të ushqimeve të kontaminuara, të cilat mund të infektohen si pasojë e kushteve të dobëta higjieno-sanitare.
Pas konstatimeve, AKU ndërpreu aktivitetin e kompanisë së kateringut “SORI-AL” dhe vendosi një gjobë prej 1.5 milionë lekësh për ofrimin e ushqimit të pasigurt dhe shkelje të kushteve higjieno-sanitare.
Subjekti është urdhëruar të marrë masa për asgjësimin e produkteve të bllokuara që rezultuan jashtë standardeve, ndërsa pronari i kompanisë po hetohet në gjendje të lirë.
