Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste , Agron Duka përgëzoi sot kryeministrin Edi Rama, për 30 mjekët dhe infermierët e dërguar në Itali që të ndihmojnë në zonat e prekura nga COVID-19.
“Lajmi për 30 mjekët dhe infermierët që shkuan të ndihmojnë në zonat e prekura nga COVID 19 në Itali, më gëzoi shumë. Më bëri të ndihem mirë dhe krenar, madje do të kisha dëshirë të isha njëri prej tyre”, u shpreh Duka.
“Nuk e them këtë pasi e di që nuk mund të kem asnjë dobi në atë ekip, apo sepse e di që nuk rrezikoj, por sepse e dua popullin italian dhe jam gati të përballem me kësi sakrificash, ashtu si për popullin tim”, tha ai.
“Përgëzoj për këtë akt kryeministrin Rama. Por do të uroja që ky gjest të mos zvenitet nga propaganda, e cila mbart rrezikun që këtij solidariteti dhe bujarisë së këtyre njerëzve, t’i mbivendoset zhurma për kapjen e meritave, që askush nuk mohon. Po ashtu më duhet të theksoj se përpjekjet për të gjetur cene në këtë ekip, nuk i shërben askujt. Madje dëmton këtë skuadër por edhe ne në sytë e një bote deri tani përgëzuese ndaj nesh”, shtoi kreu i PAA.
“Thirrja ime është: Më lejoni që këta 30 njerëz, të cilët po vënë në rrezik jetën e tyre, të më përfaqësojnë edhe mua, të të përfaqësojnë edhe ty, të përfaqësojnë të gjithë Shqipërinë. Na lejoni që edhe ne të jemi krenarë, na lejoni edhe ne që e duam popullin italian njësoj si Kryeministri dhe më shumë se ata që në këtë moment po hedhin baltë mbi traditën e popullit tonë. Miku i mirë në ditë të vështirë. Faleminderit!”, përfundoi Duka.
