Numri i vdekjeve është rritur në 30 vetëm në qytetin e Akapulkos, ku kalimi i uraganit të fuqishëm shkatërrues “Otis” shkaktoi dëme të padeshifrueshme, duke lëne të pashpresë qindra mijëra banorë.
Qeveria ka dekretuar një gjendje të jashtëzakonshme për të lehtësuar punën e ekipeve të shpëtimit dhe për të liruar fonde për të ndihmuar popullsinë dhe për të nisur projektet e nevojshme të rindërtimit.
Pas uraganit “Otis”, i cili kaloi nga një stuhi tropikale në një stuhi të kategorisë 5 të shkallës Saffir-Simpson, me një progres që befasoi ekspertët, 50% e popullsisë është ende pa energji elektrike, ndërsa furnizimi me ujë dhe shërbimet e telekomunikacionit janë duke u rikthyer.
Qeveria federale publikoi dje një numër fillestar prej 27 vdekjesh, por drejtori i Komunikimit Social në Akapulko raportoi se janë gjetur 30 trupa.
Gjithashtu, 70% e hoteleve të të gjitha kategorive, përfshirë hotelet ultraluksoze janë dëmtuar, ndërsa dhjetëra mijëra turistë që qëndrojnë në resortin bregdetar po largohen me kamionë të vënë në dispozicion nga autoritetet qendrore.