Mimoza është vetëm një nga vajzat dhe gratë e shumta që kanë rënë pre e dhunës në familje. 47-vjeçarja pas 11 vitesh martesë vendosi t’i drejtohet dyerve të gjykatës për tu divorcuar, për shkak të dhunës së vazhdueshme psikologjike dhe fizike nga ish-bashkëshorti i saj. “Vendosa të divorcohem pas 11 vitesh martesë. Shkaku ishte dhuna fizike e psikologjike në mënyrë të vazhdueshme”.
Aktualisht Mimoza punon në kryeqytet dhe të ardhurat e saj mujore janë vetëm 35 mijë lekë, me këto të ardhura duhet të mbaj veten edhe djalin, pasi që pas divorcit ish-bashkëshorti nuk ka paguar as detyrimin ushqimor. Më herët ajo tregon se e detyruar ka bërë deri në tre punë për të rritur djalin.
Si rasti i Mimozës janë mijëra të tjera në Shqipëri. Mbi 34 mijë persona në Shqipëri janë të divorcuar dhe sipas të dhënave të publikuara nga Censi, grupmosha 40-50 vjeç përbën numrin më të lartë të çifteve që i kanë dhënë fund martesës. Sipas ekspertëve krahas faktorëve ekonomik, numri i divorceve në rritje në vend ka ardhur edhe si pasojë e martesave të hershme shpeshherë të nxituara nga të rinjtë.
