Sot bëhen 34 vite nga themelimi i Partisë Socialiste. Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjete sociale, shprehet se ky përvjetor i gjen socialistët dhe progresistët shqiptarë më lart se asnjëherë më parë me mbështetjen masive që morën nga shqiptarët brenda dhe jashtë vendit më 11 maj.
“Mirëmëngjes dhe me këtë simbol të flamurit të socialistëve e progresistëve shqiptarë, që në këtë 34 vjetor të valëvitjes së tij është ngjitur më lart se asnjëherë falë 856 mijë e 177 zemrave, të cilat u bënë bashkë për Shqipërinë 2030 në BE, ju uroj gëzuar ditëlindjen e Partisë Socialiste të gjithë anëtarëve të familjes sonë të madhe politike, si edhe një ditë të mbarë të gjithë të tjerëve pa përjashtim”, shprehet kryeministri.
Partia Socialiste u themelua më 12 qershor 1991. Gjatë punimeve të Kongresit të 10-të të Partisë së Punës së Shqipërisë (PPSH), lidershipi komunist i asaj kohe e bëri të qartë që partia duhej rithemeluar mbi principe të reja demokratike, me një organizim, program dhe kryetar të ri, si dhe që PPSH nuk mund të ekzistonte më në asnjë formë të asaj që kishte përfaqësuar në të shkuarën.
Në këtë mënyrë, u shpërbë e gjithë byroja politike dhe anëtarësia e vjetër e partisë si dhe u zgjodh kryetari i ri Fatos Nano. Ai nisi reformimin e brendshëm të partisë, duke krijuar një anëtarësi të re, si dhe me një program politik të bazuar te ekonomia e tregut.
Pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2005, Partia Socialiste doli në opozitë dhe Nano dha dorëheqjen nga drejtimi i saj, duke u zëvendësuar nga Edi Rama.

