Byroja Kombëtare e Hetimit ka hapur aplikimet për 40 pozicione hetuesish, duke u bërë thirrje kandidatëve që plotësojnë kriteret të aplikojnë për t’iu bashkuar strukturës së hetimit të Prokurorisë së Posaçme.
Njoftimi është publikuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndërsa aplikimet do të qëndrojnë të hapura deri më 14 shtator 2026, ora 16:00.
Për të kandiduar, aplikantët duhet të jenë shtetas shqiptarë dhe të kenë arsim të lartë policor, në drejtësi, kontabilitet ose në një degë tjetër që lidhet me misionin e BKH-së.
Një tjetër kriter është të kenë më shumë se një vit përvojë pune në institucionet e zbatimit të ligjit ose në një fushë të lidhur me veprimtarinë e BKH-së.
Kandidatët duhet gjithashtu të plotësojnë kushtet që lidhen me integritetin, sigurinë, pasurinë dhe figurën.
Si do të zhvillohet konkurrimi?
Procesi i përzgjedhjes përfshin disa etapa. Kandidatët do t’i nënshtrohen fillimisht testit konjitiv, testit të sjelljes dhe arsyetimit logjik.
Më pas do të zhvillohet testimi i aftësive fizike dhe një test i zgjeruar me shkrim, ndërsa procesi vijon me intervistën e strukturuar.
Pjesë e procedurës janë edhe poligrafi, verifikimi i pasurisë, figurës dhe sigurisë, si dhe kontrollet mjekësore dhe psikologjike. Këto kontrolle janë të detyrueshme, edhe pse nuk pikëzohen në procesin e konkurrimit.
Kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentacionin elektronikisht në adresën [email protected].
Të njëjtat dokumente duhet të dërgohen edhe me postë në adresën e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në rrugën Jordan Misja, nr. 1, Tiranë.
Afati për aplikim për 40 pozicionet e hetuesve është 14 shtator 2026, ora 16:00.
