Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se këtë javë mund të arrihet një marrëveshje me kryetarin e Nismës, Fatmir Limajn. Kuvendi ka dështuar sot për të 50-ën herë për ta konstituuar atë.
”Me kryetarin e Nismës, Fatmir Limajn kemi zhvilluar një takim pardje, meqë rast kemi diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë, LVV unë si kryeministër në detyrë, si kryetar i subjektit fitues të zgjedhjeve kemi shprehur tashmë jo vetëm interesimin por edhe gatishmërinë për të bashkëqeverisur me Nismën Sociademokrate dhe në përputhje me këtë unë kam bërë pak a shumë një ofert konkrete për Nismën në mënyrë që gjithqka të përmbyllet sa më shpejtë dhe sa më mirë dhe ta kemi konstituimin e Kuvendit e gjithashtu edhe qeverinë e re”, ka thënë Kurti në konferencën për media.
Kurti ka shtuar se kur të përmbyllen bisedimet me rezultatin final, atëherë do të tregohen hollësitë e përmbajtjes së saj. ”Mirëpo kur këto bisedime të përmbyllen me rezultatin final, atëherë do të mund të flasim për hollësitë e përmbajtjes së saj’‘. Rreth asaj se a do ja japë Nismës postin e kryeparlamentarit, Kurti s’pranoi të jepte detaje pa finalizuar marrëveshjen.
Nga ana tjetër, Kurti i quajti kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç i cili dje tha se do të përgjigjen “ashpër” pas ndalimit dhe paraburgosjes së ndihmësit të drejtorit të të ashtuquajturëz syzë për Kosovën në qeverinë serbe, Igor Popoviç.
”Po trajtohet nga institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës me profesionalizëm dhe në përputhje me të gjitha standardet kombëtare e ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq të bëra më 20 korrik, sivjet, janë kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme”, tha ai.
