Skemat e reja të mbështetjes dhe orientimi i fermerëve drejt tregut janë në fokus të politikave mbështetëse të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për këtë vit, i cili ka në dispozicion një buxhet prej 16,3 miliardë lekësh për sektorin bujqësor, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë.
Zëvendësministri i Bujqësisë, Fatmir Guri, tha se Skema Kombëtare e Mbështetjes nuk është vetëm një instrument për financimin e fermerëve, por edhe një mekanizëm i rëndësishëm orientimi për ta. Sipas tij, synimi është që fermerët të drejtohen drejt kushteve më të mira të prodhimit, të kenë më shumë siguri ushqimore, si dhe kapacitete më të larta ruajtjeje dhe përpunimi.
Në një intervistë për “Vizion Plus”, ai bëri të ditur se skema e këtij viti, e cila do të shpërndajë rreth 52 milionë euro, do të fokusohet kryesisht në investime që u mundësojnë fermerëve dhe operatorëve ushqimorë të rrisin kapacitetet në përpunim, etiketim dhe seleksionim, me qëllim që prodhimi bujqësor të mos humbasë vlerën, por të rrisë cilësinë dhe të diversifikohet si për nga lloji, ashtu edhe për nga tregjet ku tregtohet.
Sipas zëvendësministrit Guri, Ministria e Bujqësisë ka nisur një tur kombëtar informues, nga Tropoja deri në Sarandë, ku deri më tani janë zhvilluar mbi 23 takime dhe janë kontaktuar më shumë se 2 mijë fermerë për të dëgjuar shqetësimet dhe nevojat e tyre.
Ai theksoi se skema e këtij viti shënon edhe fillimin e përshtatjes së politikave të mbështetjes me parimet kryesore të Bashkimit Europian në bujqësi. “BE prej vitesh nuk mbështet më prodhimin për litër apo për kilogram. Ne po ruajmë të njëjtat parime, në mënyrë që fermerët tanë të jenë të përgatitur për tregun europian dhe politikat e ardhshme të mbështetjes”, u shpreh Guri.
Zëvendësministri vuri theksin edhe te mbështetja për të rinjtë, duke i cilësuar ata si një element kyç për zhvillimin e bujqësisë. Sipas tij, në skemën e re po punohet për instrumente të dedikuara posaçërisht për të rinjtë, si në aspektin e investimeve, ashtu edhe në mbështetjen direkte, me qëllim që fshati të kthehet në një mundësi reale dhe atraktive për ta.
Sa i përket procedurave, Guri tha se ato janë të thjeshtuara. Fermerët që disponojnë NIPT fermeri dhe shesin produktet e tyre te subjekte të regjistruara për TVSH duhet të ruajnë autofaturat dhe dy herë në vit, në muajt qershor dhe janar, t’i dorëzojnë pranë administratës tatimore, e cila kryen automatikisht rimbursimin në masën 10% të vlerës së autofaturave.
Ministria e Bujqësisë synon që përmes këtyre masave të rrisë konkurrueshmërinë e sektorit, të forcojë zinxhirin agro-ushqimor dhe të përgatisë bujqësinë shqiptare për integrimin në tregun europian.
