Ish-kryeministri i Italisë Silvio Berlusconi ndërroi jetë mëngjesin e sotëm, pasi prej muajsh vuante nga një sëmundje e rëndë.
I konsideruar si një nga politikanët më të shquar të Italisë, ai njihej edhe për jetën e tij aktive romantike, teksa kujtojmë se vetëm pak më shumë se një vit më parë, ai kurorëzoi në martesë lidhjen e tij me deputeten italiane 53 vite më të re, Marta Fascina.
Marta Fascina nisi një romancë me 86-vjeçarin pranverën e 2020-s, pasi ky i fundit u nda nga partnerja e tij, Francesca Pascale, me të cilin po ashtu kishte 49 vite diferencë. Pasi lidhja e tyre u bë publike, 31-vjeçarja nuk reshti së treguari dashurinë që ndjen për Berlusconin.
Çifti e kurorëzoi lidhjen e dashurisë me një ceremoni madhështore martese, ku kujtojmë se vetë “Festa e dashurisë” e organizuar nga Silvio Berlusconi llogaritet të ketë kushtuar rreth 400 mijë euro.
Marta Antonia Fascina, e lindur në Kalabri dhe e rritur në Campania, është diplomuar për Letërsi dhe Filozofi në Universitetin La Sapienza të Romës.
Ajo kandidoi me partinë Forza Italia dhe u zgjodh deputete në vitin 2018, duke i zënë vendin Nunzia De Girolamo. Fascina pasi u diplomua punoi në zyrën e shtypit dhe marrëdhënieve me publikun në Milano.
