Një 6 vjeç humbi jetën mbrëmjen e së shtunës në spitalin e Lushnjes. Aleksandër Rustani kishte mbërritur në spital me ambulancën e Divjakës dhe nga konsulta doli që kishte bronkopneomonia bilaterale difuze, insuficienca respiratore akute. U vendos që fëmija të nisej me urgjencë në QSUT. U përgatit ambulanca, në pritje të mbërritjes së gjyshit, sepse mamaja dhe fëmija refuzonin të shkonin në Tiranë pa gjyshin. Gjatë gjithë kohës, fëmija ka qenë nën mbikëqyrjen dhe trajtimin e mjekëve.
Në orën 17:00, fëmija është zbritur për në ambulancë, e cila do ta shoqëronte për në Tiranë. Ambulanca ishte e pajisur me oksigjen, i cili iu aplikua pacientit. Në këtë moment, fëmija pati të vjella dhe humbi ndjenjat.
Mjeku pediatër, që do ta shoqëronte për në Tiranë, u përpoq ta reanimonte duke bërë masazh kardiak. Fëmija u kthye në urgjencë, në dhomën e shokut, ku reanimimi vazhdoi nga mjekët gjatë gjithë kohës. Por, për shkak të gjendjes së rënduar, fëmija nuk ia doli. Vdekja u konstatua në orën 17:20.
