Vllaznia fitoi me rezultatin 4-3 derbin e Shqipërisë ndaj Tiranës, në duelin e vlefshëm për javën e 11-të të Kategorisë Superiore.
Shkodranët dominuan sfidën e pazakontë të luajtur në Lushnje, për shkak të mungesës së fushës së bardhebluve. Bekim Balaj dy herë dhe Mala, mbyllën virtualisht ndeshjen prej pjesës së parë, që përfundoi me shifrat 3-0.
Bardheblutë treguan shenja jete në të dytën dhe shkurtuan diferencën me Bajroviç, por Gruda realizoi shpejt edhe golin e katërt. Gjatë festës së shkodranëve pranë tifozëve bardheblu shpërtheu një kapsollë, e cila la të shtrirë në tokë 3 lojtarë të Vllaznisë. Mjekët ndërhynë menjëherë, por Mala kërkoi ndërhyrje më të specializuar dhe u nis për në spital.
Tirana realizuan edhe dy gola të tjerë me anë të Bajroviç dhe Ndrecës në minutën e 107, por nuk kishte më kohë dhe shkodranët nisën festën ndaj kundërshtarëve të tyre historik. Laçi fitoi 2-0 përballë Egnatias, duke u larguar përkohësisht nga fundi i renditjes.