Një seri sulmesh me dronë detarë ka goditur dy anije cisternë që transportojnë naftë pranë brigjeve të Turqisë në Detin e Zi, të dyja të lidhura me të ashtuquajturën “flota ruse në hije” dhe të vendosura nën sanksione perëndimore për transportimin e naftës ruse pavarësisht embargos që pasoi pushtimin e Ukrainës në vitin 2022. Sulmet e kryera brenda 24 orëve, kanë ngritur shqetësime serioze për sigurinë detare në rajon dhe për rritjen e tensioneve midis Rusisë dhe Ukrainës.
Çisterna Virat, e cila lundron nën flamurin e Gambias dhe besohet të jetë pjesë e flotës së fshehtë të transportit të naftës ruse, u godit fillimisht rreth 35 milje detare larg brigjeve turke nga një dron, ndërsa po lëvizte në hapësirën detare të Detit të Zi.
Vetëm disa orë më vonë, sipas Ministrisë Turke të Transportit, e njëjta anije u sulmua sërish nga mjete të tjera detare pa pilot. Sulmi i dytë shkaktoi dëmtime të lehta në anën e djathtë të anijes, mbi vijën e ujit, por nuk pati zjarr apo lëndime në bord. Ekipet turke të shpëtimit qëndruan në një distancë të sigurt pasi anija nuk kishte dërguar sinjal emergjence.
Një tjetër tanker me flamur Gambian, i quajtur Kairos, që po ashtu kishte destinacion portin rus të Novorossiysk, u përfshi nga flakët pas një shpërthimi 28 milje detare nga brigjet turke. Të 25 anëtarët e ekuipazhit u evakuuan të sigurt, ndërsa pamjet e publikuara nga Drejtoria Turke e Çështjeve Detare tregonin tym të zi të dendur që ngrihej nga anija.
Autoritetet konfirmuan se rezervuarët kryesorë të cisternës ishin bosh dhe se nuk u identifikua ndotje e menjëhershme, por ekipe të zhytësve dhe ekspertëve mjedisorë do të vendosen pas shuarjes së plotë të flakëve. Në të njëjtën periudhë, edhe terminali kryesor i naftës në portin rus të Novorossiysk pezulloi operacionet për shkak të dëmeve të shkaktuara nga një tjetër sulm me dron, i cilësuar nga operatori si “akt terrorist i synuar”. Kjo ndërprerje pritet të ndikojë më tej në logjistikën e eksportit të naftës ruse.
