Është festuar sot në qytetin e Bulqizës përvjetori i hapjes së minierës së kromit. Drejtues të pushtetit lokal, minatorë, banorë të qytetit verilindor gëzuan sëbashku në këtë ditë të shënuar për Bulqizën.
74 vite më parë nisi puna në minierën e kromit në Bulqizë.
Nga nëntoka e Bulqizës u prodhuan 14 milionë tonë krom. 32-37 për qind të të ardhurave kombëtare në shkallë vendi siguroheshin deri në vitet ’90-të nga kromi.
Zbulimi i kromit në territorin e Bulqizës u bë gjatë pushtimit italian, ndërsa shfrytëzimi i minierës nisi pak vite pas çlirimit. Banorët filluan të mbledhin gurin e çmuar, të cilin e transportuan me kafshë në Qafën e Buallit. Ka qenë 14 shkurti i vitit 1948, kur një ekip inxhiniero-teknik, i ardhur nga Tirana, ka bërë të mundur që më 18 shkurt të po këtij viti në Bulqizë të dëgjohen shpërthimet e para të minave. Pikërisht këto shpërthime shënuan edhe datëlindjen e kësaj miniere. Puna ka nisur me 30 punëtorë të ardhur nga rrethet e Dibrës, Matit dhe Mirditës. Minerali nxirrej në sipërfaqe me karroca dore.
Vetëm pas 10 vitesh, pra në 1958, u vendos shfrytëzimi i minierës me galeri, nënkati. Në vitet ‘60-‘70 u vu në shfrytëzim pusi nr.1, me thellësi 150 metra. Dhe pas viteve ‘72-‘74 filloi prodhimin pusi nr.2, me tri nivele. U arrit që miniera të shfrytëzohet deri në nivelin e 16 ose 6 metra nën nivelin e detit. Në vitet ‘70, interesimi qeveritar për këtë minierë ishte jashtëzakonisht i madh, pasi eksporti i kromit ishte e vetmja mundësi për të çarë “bllokadën”. Duke u punuar me ritme të jashtëzakonshme, në minierë pati edhe humbje jetësh. Edhe pse nuk ka ndonjë shifër të saktë zyrtare, mendohet se deri më tani, mbi 450 minatorë, duke përfshirë edhe të burgosurit politikë që kanë punuar aty, kanë humbur jetën në galeritë e thella dhe të ftohta të kësaj miniere.
Përveç të ardhurave të mëdha që i siguronte shtetit, miniera e Bulqizës u shndërrua në një shkollë të madhe të gjeologjisë. Aty u punësuan disa nga specialistët më të mirë të minierave në vend, të cilët me studimet e tyre pasuruan më tej shkencën e gjeologjisë. Këtu mund të veçohen prof. dok. Andrea Xega, i pari inxhinier gjeolog shqiptar (mbaruar studimet në Vjenë), inxhinierët e talentuar, Todo Manço, Dhori Pano, Ligor Gurra, Jorgo Kola, Engjëll Hoxha, Bujar Pata, Jashar Dema etj.
Me zhvillimin e punimeve minerare dhe përvojën që u fitua nga puna në minierën e Kromit në Bulqizë, u pasurua edhe mendimi gjeologjik shqiptar, por u pasurua gjithashtu edhe mendimi gjeologjik botëror.
Vdekja e qindra minatorëve, për fatin e tyre të keq, si dje, edhe sot, u faturohet pikërisht atyre që lanë fëmijët jetimë, veshën gratë, nënat e vajzat me të zeza.
Pas viteve ’90-të miniera e kromit ka ndërruar pronarë disa herë, ndërkohë prodhimi nuk është si asokohe.