Një 41-vjeçar ka rënë në prangat e policisë italiane në qytetin Spoleto, pasi u kap me 1.2 kg kokainë. Ai u pikas nga policia teksa kjo e fundit ishte në një aksion për parandalimin e vjedhjeve.
Karabinierët vunë re një person të dyshimtë, i cili doli nga garazhi. Qëndrimi jo i sigurt i 41-vjeçarit shqiptar, bëri që policia ta ndalonte dhe gjatë kontrollit në garazh i zbuloi sasinë e lëndës narkotike.
Policia konstatoi së shqiptari e kishte shndërruar garazhin në një laborator të paketimit të drogës.
Nga kontrolli në banesë iu gjetën edhe 7 mijë euro, ndërsa u vlerësua se nëse droga do të hidhej në treg do kapte shifrat e 80 mijë eurove.
Shqiptarit iu sekuestrua edhe celulari, nga i cili mund të zbulojnë më shumë rreth këtij rrjeti të trafikut të drogës.
