Vrasja e 81-vjeçarit Xhemal Meta janarin e këtij viti në fshatin Qafë-Mollë të Tiranës ka si motiv vjedhjen e parave të viktimës për të paguar një mikrokredi.
Prokuroria e Tiranës ka mbërritur në këtë përfundim ndaj fqinjit të akuzuar për krimin, 64-vjeçarit Isuf Hasa, duke e rikualifikuar akuzën e “vrasjes me dashje” të ngritur pas ngjares në “vjedhje me pasojë vdekjen”. Për këtë akuzë, Gjykata e Tiranës ka pranuar së fundmi kalimin në gjyq të çështjes ndaj Hasës, që ka pranuar të jetë autor i krimit.
Ditën e ngjarjes i pandehuri Isuf Hasa ishte nisur për tek vajzat e tij në orën 6 të mëngjesit, por ndaloi për një kafe tek banesa e 81-vjeçarit, me të cilin kishin marrëdhënie fqinjësie prej vitit 2003.
Para hetuesve Isuf Hasa ka treguar se jashtë banesës së fqinjit ka gjetur një çekiç që e ka futur nën xhup. Më pas, ata kanë konsumuar bashkë një kafe për 15 minuta, e teksa kanë dalë jashtë, Meta para dhe Hasa pas, ai e ka qëlluar në kokë duke e shembur në tokë. Pasi ka pritur 2-3 minuta, 64 vjeçari ka marrë edhe portofolin e viktimës dhe ka shkuar tek kafja e fshatit, ku ka pirë një kafe dhe një dopjo raki, para se të merrte furgonin për në kryeqytet.
“Dua të shtoj se arsyeja që e ndërmora këtë veprim ishte pasi shpesh herë shtetasi Xhemal Meta më thoshte se unë nuk isha burrë pasi rrija 4 ditë në punë pa ardhur në shtëpi dhe se nuk dija se çfarë bënte gruaja ime”, ka dëshmuar Hasa gjatë hetimit.
Në vijim ai ka rrëfyer se 81 vjeçari Mata i kishte thënë disa herë këtë gjë, edhe në prani të bashkëshortes, dhe kjo gjë atij i ishte mbledhur përbrenda. Sipas hetimit, armën e krimit Hasa e ka marrë me vete dhe e ka fshehur pranë banesës së një prej vajzave, ku edhe u gjet nga policia.
Në takimet me vajzat ai i ka lënë atyre shuma parash, 68 mijë lekë tek njëra dhe gati 120 mijë lekë te tjetra, të sekuestruara.
