Të moshuarit nuk e mbajnë mend këtë situatë. Burimet ujore kanë pakësuar prurjet e ujit të pijshëm ose ato kanë shteruar fare.
Banorët e fshatit Gjoçaj, në njësinë administrative Derjan, shprehen se prej disa ditësh janë të detyruar të udhëtojnë 6-7 kilometra për të siguruar ujin e pijshëm.
Nga çezmat e ndërtuara shumë dekada më parë nuk rrjedh më ujë.
“Kjo thatësirë nuk mbahet mend, shprehen të moshuarit. Kurrë nuk kemi udhëtuar drejt Kurbneshit për t’u furnizuar me ujë. Mungesa e gjatë e reshjeve dhe tërmetet me siguri kanë ndikuar që të vuajmë për ujë”, deklaruan banorët e fshatit malor.
Edhe në burimin kryesor, nga furnizohet qyteti i Burrelit, prurjet kanë rënë në nivele të panjohura më parë.