Shqipëria bën hapin e parë drejt eliminimit të pajisjeve matëse me përmbajtje mërkuri nga institucionet shëndetësore! Në kuadër të një projekti të rëndësishëm të financuar nga Fondi Global për Mjedisin (GEF), dhe me mbështetjen e World Health Organization (WHO) dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin , Shqipëria ka filluar eliminimin e pajisjeve që përmbajnë mërkur, si termometrat dhe aparatet matëse të presionit të gjakut. Mërkuri është një nga kimikatet më të rrezikshme për shëndetin publik dhe mjedisin, dhe ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve tanë dhe reduktimit të rreziqeve mjedisore.
Shqipëria bashkë me Malin e Zi, Indinë, Ugandën dhe Burkina Fason, është një nga vendet e para të përfshira në këtë projekt global.
Projekti startoi më 18 shtator 2024 në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga ministritë, spitalet rajonale, shoqatat profesionale, sektori privat dhe shoqëria civile. Zbatimi i Konventës së Minamatës për mërkurin, të ratifikuar nga Shqipëria në vitin 2020, mbetet një angazhim i fortë i vendit tonë për mbrojtjen e shëndetit publik dhe mjedisit.