Raporti i miratuar nga Komisioni parlamentar i Ligjeve për shkarkimin e Presidentit tashmë do të kalojë në seancë plenare, dhe sipas kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla “zyra e kreut të Shtetit duhet të zbrazet sa më parë”.
Ai tha se nisma e 55 deputetëve tashmë është marrë në shqyrtim nga Komisioni i Ligjeve. “Në zbatim të kushtetutës dhe rregullores së kuvendit jemi në fazën që po shqyrtojmë nismën e depozituar nga 55 anëtarë të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit. Në këtë fazë raporti i shkon seancës plenare, kishim një diskutim për këtë çështje. Kuvendi diskuton në seancë raportin e komisionit të Ligjeve dhe nëse raporti miratohet, me të ngrihet edhe Komisioni Hetimor për evidentimin e shkeljeve nga ana e presidentit dhe më pas komisioni hetimor paraqit në kuvendin e Shqipërisë raportin përfundimtar. Nëse merr 94 a më shumë vota nga deputetë, miratohet shkarkimi i presidentit dhe certifikimin e këtij procesi e bën Kushtetuesja”- ka sqaruar Balla për mediat.
Sipas tij, të tre grupet parlamentare do të propozojnë përfaqësuesit e tyre në këtë komision. “Jemi në zbatim të përpiktë të afateve kushtetuese dhe rregullores për të çuar më tej këtë kërkesë që sa më shumë ditë kalojnë aq më kuptimplotë bëhet bazueshmëria e nevojës për të liruar sa më shpejt zyrën e presidentit”- tha Balla, pa iu përgjigjur pyetjes nëse ndërkohë ka shumica emra për postin e Presidentit, apo jo.
Ndërkaq, Top Channel bën të ditur se komisioni hetimor për Metën do të kryesohet nga Ulsi Manja, kryetari aktual i Komisionit të Ligjeve, dhe një nga 55 deputetët që ka firmosur shkarkimin e Metës. ë krah të Manjës do të jenë tetë deputetë të mazhorancës, si dhe deputetët e opozitës së re parlamentare.
Balla u pyet edhe nëse po punohet për dialog me Bashën, Balla ka dhënë këtë përgjigje: Ka një instrument të rëndësishëm që është Komisioni i Reformës Zgjedhore, që ka lënë të hapur mundësinë që PD të ketë një përfaqësues të vetin në këtë komision”.