Aldo Gjini është transferuar nga burgu i Drenovës drejt regjimit të posaçëm të sigurisë 41 bis. Sipas informacioneve, vendimi për transferimin e tij vjen pas një periudhe tre mujore nën mbikëqyrje.
Gjini është një prej personazheve të akuzuar nga SPAK si pjesë e grupit të Rrajave të Fushë-Krujës. Ai ka qenë i izoluar në burgun e Drenovës, ndërsa tashmë do të vuajë dënimin nën regjimin e posaçëm 41 bis, i cili parashikon masa të rrepta sigurie dhe kufizime të komunikimit me persona të tjerë.
Aldo Gjini akuzohet për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Në kuadër të një operacioni të zhvilluar në dhjetor 2025, ndaj tij u caktua masa e sigurisë “arrest në burg”. Gjini rezulton të jetë përmendur edhe në disa ngjarje të tjera kriminale, mes tyre një plagosje në Tiranë në vitin 2021, ndërsa raportohet se ka pasur probleme me drejtësinë edhe në Itali e Luksemburg.
