Projektbuxheti dhe paketa fiskale janë miratuar nen për nen në Komisionin e Ligjeve, ku janë akomoduar edhe kërkesat për fonde shtesë dhe shtim të numrit të punonjësve në disa institucione.
Për Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) është miratuar një fond shtesë prej 459 milionë lekësh, ndërsa për Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë (ILD) janë akorduar 125.5 milionë lekë.
Edhe Komisioni i Prokurimit Publik do të përfitojë 40 milionë lekë shtesë, ndërsa Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) i janë miratuar 34 milionë lekë për magazinat e materialeve zgjedhore.
Sa i përket Prokurorisë së Përgjithshme, nuk është parashikuar fond shtesë, por është miratuar kërkesa për shtimin e punonjësve. Edhe Ministria e Administratës Publike do të ketë shtim të numrit të punonjësve.
