Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi duke folur për mediat pas intervistimit të kandidatëve të parë për SPAK, ka sqaruar dhe arsyen pse ky proces u bë me dyer të mbyllura dhe jashtë syrit të kamerave.
“Intervistat janë regjistruar në audio dhe video, sepse ndonjëri kandidat mund të ankimojë vendimin tonë. KLP është e prirur të jetë e hapur. Ajo çka ndodhi sot, në intervista, ishte pjesë e një procesi administrativ, dedikuar shqyrtimit të kandidatëve. Sot konfirmuam gjetjet paraprake të komisionit. Kur të kemi gati relacionet për çdo kandidat, regjistrimet do bëhen në formë publike”, tha Ibrahimi.
Të parët që u morën sot në pyetje ishin Altin Dumani, që është drejtues në Prokurorinë e Apelit të Krimeve të Rënda, Anton Martini prokuror te Krimet e Rënda, Arben Kraja prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme dhe Anita Jella drejtuese e Prokurorisë së Durrësit, prej të cilëve vetëm prokurori Kraja ka kaluar me sukses procesin e Vettingut.
Lidhur me këtë, kreu i KLP është pyetur nëse ndonjëri nga kandidatët rrezikon të bëhet pjesë e SPAK, pasi mund të ngecë në Vetting. Ibrahimi nuk e përjashtoi rrezikun, duke thënë se KLP merret me profesionalizmin, ndërsa Vettingu me integritetin. Më tej, ai shtoi se i gjithë procesi është ndjekur edhe nga ndërkombëtarët.
“Ne duam të marrim më të mirën e kandidatëve, meraku ynë ishte që po të bëhej publik procesi i intervistimit, kandidatët nuk do të ishin të lirë. Morëm një mendim për vështirësitë që kanë hasur ndaj proceseve gjyqësore. Ata dhanë arsyet dhe motivet për të konkurruar, si psh., që vlerësimi këtë radhë do të jetë maksimal. Edhe procesi i përzgjedhjes, kujtojmë si përzgjidheshin prokurorët e Krimeve të Rënda dikur, është si nata me ditën me tani. Besimi i tyre te procesi ishte një arsye kryesore për të konkurruar”, u shpreh kreu i KLP.
