Kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori është shprehur se zgjedhja e katër anëtarëve të rinj të këtij institucioni do i jepte frymëmarrje gjykatës, pasi u pyet nga mediat për ekstradimin e dy personave që mund të lirohen nga burgu për shkak se dosjet e tyre nuk po merren në shqyrtim nga kjo gjykatë.
“Nuk i kam llogaritur afatet të them të drejtën por për këtë kam njoftuar edhe Kolegjin e Lartë. Zgjedhja e 4 anëtarëve të rinj do t’i jepte frymëmarrje gjykatës”,- tha ai.
Zaganjori foli për mediat në përfundim të seancës në KPA, ku tha se paraqiti sot edhe 10 dokumente të tjera të cilat janë marrë në shqyrtim nga Komisioneri Publik.
“Rreth të njëjtave argumente sillen faktet, krahas 23 dokumenteve sot paraqita edhe 10 të tjera. Shpresoj që Komisioneri Publik t’i marrë parasysh”,- tha Zaganjori.
