Në intervistën e parë pas lirimin, ish-deputeti demokrat Bardh Spahia shprehu vendosmërinë e tij për t’i shkuar deri në fund çështjes së ndalimit të padrejtë sipas tij, duke çuar në gjykatë personat përgjegjës, dhe këtë tha Spahia nuk e bën vetëm për vete, por për të gjithë protestuesit e mbështetësit demokratë, që siç u shpreh janë ndaluar në mënyrë të padrejtë.
“Është e tmerrshme të shikosh se si qytetarë të thjeshtë, qytetarë të ndershëm të këtij vendi, janë ndaluar pa asnjë argument, janë burgosur në mënyrën më të shëmtuar të mundshme sikur ne të ishim pjesë e një vendi diktatorial. Do të jenë avokatët që do të më sugjerojnë kërkesat tona, nëse do të ketë dëmshpërblim financiar, çdo e ardhur hipotetike nga këto do të jemi në gjendje ti adresojmë drejt bamirësisë. Nuk e inicioj këtë çështje për arsye personale, e inicioj për të treguar që Shqipëria nuk pranon rikthime të modeleve të viteve të errëta të viteve të diktaturës”, tha Spahia.
Mesazh Jozefina Topallit
Një përgjigje ish-deputeti Spahia rezervoi edhe për ish kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila u shpreh se pas incidentit në shkollë se një demokrat nuk djeg as mandate e as shkolla.
“Një demokrat i vërtetë nuk pajtohet me grushtin e shtetit apo me votimet fars. Shkodranët e vërtetë, demokratët e vërtetë i kanë thënë jo 30 vjet përpara, janë përballur madje me sakrifica të jashtëzakonshme me diktaturën më të egër ndoshta në botë pikërisht për të fituar të drejtën e votës së lirë, të drejtën e zgjedhjes, dhe në këtë kontekst unë mendoj se qytetarët shkodranë janë më të vendosur se kushdo për të mos e lënë vendin të rrëshqasë drejt diktaturës, për të mos e lënë vendin të rikthehet votimeve pa zgjedhje. Edhe një herë po e them asgjë s’ka më të rëndësishme në një shtet demokratik se sa vota e lirë. Për votën e lirë, ia vlen në fakt çdo sakrificë.
