Pas takimit me aleatët kreu i opozitës Lulzim Basha tha para gazetarëve se një nga mëkatet e mëdha të qeverisë është se duke tërhequr opozitën në betejën parimore për vlerat themelore të demokracisë ia ka dalë ti vërsulet Shqipërisë dhe pasurive të vendit.
“Sot në takimin me opozitën e bashkuar kemi diskutuar për hapat e mëtejshëm të aksionit tonë politik në të gjitha rrafshet, me njerëzit, qytetarët, faktorin ndërkombëtar dhe zgjidhjen për shqiptarët. Në këtë kuadër kemi diskutuar gjerë e gjatë për emergjencën ekonomike ku ndodhet vendi, sepse një nga mëkatet e mëdha, fajet më të mëdha të kësaj bande që na qeveris është që duke tërhequr opozitën në betejën parimore për vlerat themelore të lirisë e demokracisë, ia ka dalë t’i vërsulet Shqipërisë, buxhetit e pasurive, ta vjedhë e ta grabisë qytetarin e thjeshtë dhe ta zhysë ekonominë në ditën e saj më të zezë”, tha Basha.
Ai foli dhe për takimin me Metën, me të cilin tha se u diskutua se 13 tetori është një mundësi për daljen nga kriza politike. “13 tetori është një mundësi për daljen nga kriza politike, duke vlerësuar maksimalisht qëndrimin e Presidentit i kam bërë të qartë se PD dhe Opozita e Bashkuar janë në këtë betejë për interesin e njerëzve. Zgjedhjet duhet të jenë për njerëzit dhe jo për partitë”, tha Basha.
