Duke e quajtur Kuvendin landfill të Republikës, vendgrumbullim të plehrave dhe hajdutëve, kreu i PD-së Lulzim Basha në një dalje për mediat ka bërë të ditur dhe operacionin siç e quajti ai të opozitës kur të vijë në pushtet.
“Zhdukja e ndikimit dhe pasojave të politikës kriminale të grabitjes së vendit dhe tjetërsimit të ekonomisë publike në duart e një grusht kriminelësh dhe oligarkësh është emergjencë dhe prioritet kombëtar. Që ditën e parë të qeverisjes para çdo gjëje dhe mbi gjithçka tjetër do të ndërmarrim operacion të gjerë të paparë e të padëgjuar me shtrirje nga Shqipëria deri në vende të tjera për hetimin, zbulimin e ndëshkimin e të gjithë vjedhjeve dhe grabitjeve që i janë bërë Shqipërisë”, tha Basha.
Ai tha se ky operacion do të nisë me krijimin e një kuadri ligjor radikal kundër krimit dhe korrupsionit. “Hetimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale të qeverisë në fushën e prokurimeve dhe licencave publike, hetimi i korrupsionit në nivele të larta, mashtrimeve me kontratat dhe fondet publike, rekuperimi i pasurive të vjedhura përmes kontratave dhe koncesioneve publike”, tha Basha.
