Një serb është arrestuar në Kosovë si i dyshuar për krime lufte. Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Prokuroria Speciale e Kosovës. “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton se gjatë ditës është arrestuar i pandehuri G.S., i nacionalitetit serb, shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje me të pandehurit e tjerë ka kryer veprën penale “Krime Lufte kundër popullsisë civile”, në kundërshtim me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë (KPRSFJ) lidhur me Nenin 3 të Konventës së katërt të Gjenevës, po ashtu e penalizuar me nenin 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.
Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i bazuar se gjatë periudhës kohore, 15 dhe 16 prill 1999, i pandehuri G.S. në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë pjesëtarë të njësive rezervë të njësive ushtarake dhe policore të Serbisë, gjatë një ofensive të drejtuar kundër popullsisë civile në Komunën e Lipjanit dhe lokaliteteve për rreth, me përdorimin e forcës ushtarake, dhunës, plaçkitjes dhe frikësimit, fillimisht kanë dëbuar popullsinë civile shqiptare nga shtëpitë e tyre, e pastaj nga familjet të cilat ishin duke u përpjekur që të largohen nga sulmet dhe dhuna, të pandehurit i kanë ndarë dhjetëra persona, të cilët pastaj i kanë vrarë.