Nëntë protestues, katër efektivë policie dhe një kalimtar janë paraqitur në Spitalin Universitar të Traumës, ndërsa një tjetër punonjës policie po ekzaminohet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), pas incidenteve gjatë protestës në Tiranë.
Sipas informacionit të bërë publik nga Ministria e Shëndetësisë, deri në orën 17:00, një prej nëntë protestuesve të paraqitur në Traumë është shtruar në spital, ndërsa tre të tjerë kanë marrë mjekimin e nevojshëm dhe janë larguar.
Në të njëjtin spital kanë marrë ndihmë mjekësore edhe katër efektivë policie. Dy prej tyre janë mjekuar dhe janë larguar, ndërsa në SUT është paraqitur gjithashtu edhe një kalimtar.
Ndërkohë, në QSUT po ekzaminohet një tjetër punonjës policie. Sipas të dhënave të raportuara nga ministria, gjendja shëndetësore e personave të lënduar paraqitet stabël.
Protesta në Tiranë vijon të shoqërohet me akte dhune dhe përplasje, ndërsa ka hyrë në ditën e pestë të saj.
