Kryetari i LSI-së Mat Agim Hysa, njëkohësisht kryetar i këshillit bashkiak, i zgjedhur edhe me votat e socialistëve katër vite më parë, gjatë mbledhjes së fundit të këshillit falenderoi kryetarin në detyrë Nezir Rizvani si dhe këshilltarët që u mbaron mandati.
“Ne, tha Hysa, duhet të falenderojmë kryetarin e bashkisë Nezir Rizvani për bashkëpunimin e treguar gjatë këtij mandati. Vlerësime për të gjithë këshilltarët, për korrektësinë e treguar, për marrjen e vendimeve të matura, për vlerësimin e shqetësimeve të qytetarëve. Urojmë gjithashtu këshilltarët që janë rizgjedhur në këshillin e ri të Bashkisë Mat”, përfundoi Agim Hysa.
Ai ftoi kryetarin të dorëzojë me maturi detyrën, projektet dhe gjithçka tjetër. Mbledhja e fundit e këshillit të bashkisë Mat u mbyll me dhënien e titullit të “Mirënjohjes” për një poet matjanë në emigracion. /tirananews.al/
