Kreu i PD-së Lulzim Basha ka vijuar takimet me demokratët në Delvinë ku tha se shqetësim për partinë e tij është varfërimi i shqiptarëve për shkak të grabitjes nga qeveria.
“Një grusht klientësh bashkë me Edi Ramën dhe qeverinë e tij janë shndërruar në grabitës të çdo pasurie publike dhe të çdo burimi natyror të vendit. Ata janë shkaku i thellimit të varfërisë,papunësisë, mungesës së mundësive.”
Kryetari i PD tha se braktisja e interesit publik për të pasuruar veten dhe një grusht biznesmenësh dhe kriminelësh, është një nga arsyet e refuzimit plebishitar të Edi Ramës më 30 Qershor. Basha u shpreh se kjo ishte një datë që e vulosi Edi Ramën, edhe sipas raportit të OSBE/ODIHR, në një grabitës votash dhe të një politikani qe shkel Kushtetutën për të uzurpuar çdo pushtet.
“30 qershori është nul dhe i pavlefshëm. Çdo produkt i tij është nul dhe i pavlefshëm”- tha kreu i opozitës duke u shprehur mirënjohës për çdo banor të Delvinës që iu bashkua shumicës absolute të 85 përqind të shqiptarëve, të cilët duan ndryshimin.
Lideri i opozitës Lulzim Basha tha se angazhimi i tij madhor është t’ua kthejë mirënjohjen shqiptarëve me vepra konkrete për mirëqenien e tyre, kur PD të marrë drejtimin e vendit.
