Politika shqiptare e nisi muajin gusht me betejë deklaratash për çështjen e Teatrit Kombëtar. Postimin e mëngjesit kreu i shteti Ilir Meta e nisi me një video kur Rama ka qenë ministër i Kulturës, në kohën që Meta ishte kryeministër e çfarë thoshte për teatrin.
“Të dashur miq! Po ju njoh me faktin se dje i kam dërguar një letër Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, për të konfirmuar mbështetjen time në aplikimin e saj drejtuar organizatës prestigjoze “Europa Nostra” për mbrojtjen e kompleksit të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental. Po kështu të gjitha qëndrimet e mia në mbrojtje të trashëgimisë historike e kulturore të Tiranës, kanë qenë dhe janë në koherencë të plotë për këtë çështje prej 20 vitesh. Dëgjoni ju lutem kryeministrin aktual, z.Rama se si e konfirmonte këtë fakt në vitin 2000, kur shërbente me devocion të jashtëzakonshëm si ministër Kulture, në qeverinë që unë drejtoja”, shkruan Meta në Facebook.
Pak pas tij, po në rrjetet sociale ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama duke botuar fjalët e aktorit Artan Imami lidhur me teatrin.
“Artan Imami është një tjetër protagonist tanimë i hershëm i skenës së Teatrit Kombëtar, i cili është ngjitur në atë skenë qysh “kalama”, si një ndër talentet më të spikatura të gjeneratës së re të viteve ‘80 dhe sot ai ka një opinion të qartë në debatin për të ardhmen e godinës së Teatrit Kombëtar.
ARTAN IMAMI:
Shpreh dakordësinë dhe nevojën emergjente për një godinë të re të Teatrit Kombëtar. Një godinë e cila t’u shërbejë artistëve dhe mbi të gjitha publikut, i cili edhe pse në kushte tërësisht të papërshtatshme, për asnjë moment nuk e ka braktisur skenën e teatrit. Teatri Kombëtar duhet të shfrytëzohet vetëm dhe vetëm për godinën e re të Teatrit Kombëtar, duke mos cenuar tjetërsimin e asnjë pjese të kësaj prone. Mua nuk më zë gjumi nga qejfi se do të bëhet një teatër i ri modern, në vend të këtyre pamjeve të tmerrshme që shohim me gjendjen aktuale. Më vjen ndër mend një takim i vitit ‘87 apo ‘88 me Ismail Kadarenë dhe ndërkohë që po bisedonim, dikush e pyeti se si duket niveli i teatrit. Ai ia kishte ngulur sytë në një qoshe të tavanit, ku po binte suvaja dhe thotë: Po ja, ashtu si kjo godinë”, shkruan Rama.
Nuk ka vonuar më pas as postimi i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili thote se Teatri është loja, pasi Ramën nuk e zë gjumi për kullat 200 milionë euro.
“Puna e Teatrit ishte loooja!
Nuk e zë gjumi hajdutin psiqik për 6 kullat 200 milionë euro! Mjerë të keqpërdorurit e radhës që flasin për gishtin kur gishti tregon hënën!
Nuk ka interes për Teatrin Pa Kulla treshja Rama-Veliaj-Mafia e Ndërtimit dhe Drogës”, shkruan ai.
