Kreu i Bindjes Demokratike Astrit Patozi ka ironizuar deklaratat e kryera nga kreu i PD-së Lulzim Basha në lidhje me datën e zgjedhjeve më 13 tetor. Teksa e etiketon me tallje si “jurist”, Patozi i kërkon Bashës të lërë të lirë aleatët e tij që të ankohen në Kolegj për zgjedhjet që kaluan.
Eh mor jurist, sa shpejt që rrjedhin kohërat në këtë vend!
Dy muaj më parë i kërkoje llogari KQZ-së se përse na regjistronte ne si parti
për të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Tani po i hakërrehesh të njëjtit institucion se përse nuk po i regjistron disa
parti, që duan të garojnë më 13 tetor.
Dekret Presidenti kishte atëherë, të tillë ka edhe
tani. Nuk po i hyjmë diskutimit të nxehtë, që vetë ke thënë se i përket
Gjykatës Kushtetuese, për cilësinë dhe ligjshmërinë e vendimeve të Ilir Metës.
A mund të na shpjegosh se si i dallon dekretet e
Presidentit në janë të mirë apo jo, se mbase na shërben edhe ne të tjerëve?
Por mbi të gjitha, na hiq një kuriozitet! Çfarë
pune ke ti me zgjedhjet, në të cilat nuk ke ndërmend të marrësh pjesë?
Lëri të ankohen vetë ata, që të paktën formalisht
kanë shprehur dëshirën të konkurrojnë më 13 tetor, sepse njohin dekretin e dytë
të Presidentit. Kurse ti nuk njeh, as të parin, dhe as të dytin, dhe një Zot e
di kur mund të të dalë frika e të futesh ndonjëherë në zgjedhje.
Jo për gjë, por nuk të ka caktuar njeri arbitër për
asgjë në këtë vend, dhe kjo vlen sidomos për proceset elektorale, ku me
zhvillimet e fundit, e meriton plotësisht titullin e palës së painteresuar.
