Fondet e mbledhura nga parkimi do të shkojnë për pemë të reja ka qenë premtimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt gjatë inspektimit të përfundimit të punimeve për parkimin nëntokësor tek rruga e Elbasanit, i cili do të ketë 145 vende.
“Duke filluar nga dita e hënë, të gjithë qytetarët që kanë punë në Rrugën e ‘Elbasanit’, qofshin ata që shkojnë në shkollat këtu afër, si shkolla “Kosova” apo Liceu, qofshin ata që kanë biznese, qofshin ata që shkojnë te Drejtoria e Tatimeve, pra në një nga nyjet më të ngarkuara të Tiranës, gjejnë shpëtim përfundimtar për çështjen e parkimit, duke frekuentuar parkimin e 4-rt nëntokësor që hapim në 4 vjet në qytetin e Tiranës”, tha Veliaj. Një lajm i mirë për banorët e kësaj zone janë edhe tarifat e reduktuara për automjetet e tyre.
“Motoja e bashkisë është: Sa më pak makina. Megjithatë, e kuptoj se për disa njerëz përdorimi i makinës, pra për një mësues që vjen nga ata tjetër e qytetit, për një prind që vjen për të marrë fëmijët, për dikë që ka një problem me tatimet, për dikë që ka një takim në ambasadë, makina mund të jetë e nevojshme nëse distanca është mbi 2-3 km dhe nuk kanë një mundësi tjetër. Për të gjitha këto arsye, 145 vende parkimi në këtë hapësirë publike, e marrë nga privati dhe e rimarrë për publikun, me parking poshtë dhe hapësirë për njerëzit, sidomos me një kënd lojërash për fëmijët, është ndoshta metafora më e bukur se çfarë vlerash besojmë ne si bashki”, deklaroi Veliaj.
Ndërtimi i parkingjeve nëntokësore do të vijojë edhe në mandatin e dytë. Veliaj theksoi se shumë shpejt do të ketë edhe dy parkingje të reja nëntokësore, një pranë Parkut të Liqenit dhe një tek “Qyteti Studenti”. Veliaj siguroi se të gjitha të ardhurat që do të vijnë nga parkingu shkojnë për të mbjellë më shumë pemë.
Parkimi publik ka 2 kate nëntokë dhe ofron 145 vendparkime në total, plus 2 vende parkimi për PAK. Parkimi është i pajisur me sistemin e ndriçimit emergjent sipas standardeve ne fuqi. Në katin -1 (parkim) është pozicionuar edhe blloku i nyjeve higjenosanitare, që do t’i shërbejnë parkut rekreativ në sipërfaqe. Parkimi publik përmban sistem ventilimi dhe është i pajisur edhe me sistem të mbrojtjes kundër zjarrit.





