I ashpër ka qenë Kryeministri Rama me drejtorët e institucioneve në Qarkun e Shkodrës. Ai u shpreh gjatë takimit të Këshillit Drejtues të Rajonit të Veriut se ata jo vetëm nuk i kanë menaxhuar mirë ndërmarrjet dhe drejtoritë, por herë pas here ka patur ankesa për abuzimet e kryera nga ana e tyre.
Rama nënvizoi se banorë të qytetit të Shkodrës e kanë informuar se drejtorët e Shkodrës nuk ua kanë zgjidhur problemet por i kanë sorollatur, u kanë kërkuar para dhe nuk kanë komunikuar me qytetari.
Kryeministri tha se të gjithë drejtorët e Shkodrës do të shkarkohen dhe do të zëvendësohen me gra të shkolluara, që kanë reputacion në zonë, pavarësisht bindjeve të tyre politike.
Mësohet se nesër, pak para fillimit të mbledhjes së kryesisë së PSSH-së, Rama do të ketë në selinë e partisë Tiranë një takim me drejtorët rajonalë të Shkodrës dhe deputetët e këtij qarku. Pritet që një pjesë e drejtorëve të deklarojnë dorëheqjen dhe të tjerë të shkarkohen. /tirananews.al/
